PSIKIATRIA DIGJITALE

PSIKIATRIA DIGJITALE

Autor: Dr. Liron Pepshi – Psikiatër
Zoti. F., një menaxher i financave rreth të dyzetave, i cili gjendet në një udhëtim zyrtar mijëra kilometra nga vendbanimi, përjeton një krizë psiqike. Para disa vitesh ky person do të gjendej para një sfide me pasoja jetësore. T’i vazhdoj takimet e planifikuara të biznesit, me rrezikun e përkeqësimit të mëtejshëm psiqik deri në vetëvrasje? Apo të kthehet parakohe në trajtim psiqik në vendbanim e tij, me ç’rast ky veprim do t’i kushtonte atij në rrugëtimin e tij drejtë një karriere të ndritshme më tutje? Falë digjitalizimit në psikiatri menaxheri i lartëpërmendur kontakton menjëherë psikiatrin personal dhe brenda pak orëve pranon intervenimin e duhur. Ditën tjetër, pas një gjumi të qetë, zgjohet plot energji dhe me qëllime të qarta që i kishte vënë vetes fillon ditën me takimet e planifikuara.
Transformimet në psikiatri
Një periudhë interesante është duke e përfshirë psikiatrinë. Zhvillimi i teknologjisë po sjell metoda më optimale për diagnostifikim dhe trajtim në psikiatri. Forma klasike e intervistimit të pacientin apo siç njihet në mjekësi edhe “marrja e anamnezës”, si dhe trajtimi psikoterapeutik dhe farmakologjik do të mbesin prapë pjesë e psikiatrisë, por tashmë në modifikim e sipër. Qëllimi perfundimtar është që në intereakcion të shumë anshëm me klientin t’i ofrohet ndihmë adekuate në kohën më të shpejtë të mundshme. Një hulumtim para 5 vitesh kishte zbuluar që rreth 35% e psikiatrëve kërkojnë pacientët e tyre në Google, kurse rreth 25 % komunikojnë me pacientë përmes email (S. Koh et al. 2013). Sigurisht që tani një përqindje e tillë është shumë më e lartë, siç është edhe mundësia e interakcioneve më e lartë me klientë se sa që ishte më parë (Skype, zoom.us, platforma të tjera online apo qindra aplikacione per IOS dhe Android). Ky lehtësim në komunikim dhe trajtim reduktojnë edhe shpenzimet e trajtimit (D. Richards et al 2018). Në anën tjetër janë zhvilluar edhe qindra programe e aplikacione që ndihmojnë në parandalimin e shfaqjes së çrregullimeve psiqike.
Objektivizimi i të dhënave në psikiatri
Përderisa në disiplinat e tjera mjekësore mbledhja e të dhënave në masë të madhe është objektiv (EKG, analizat laboratorike, fotografit radiologjike, etj.) në psikiatri të dhënat kanë qenë kryesisht subjektive. Përmes aplikacioneve të ndryshe, bazuar në sensor që regjistrojnë aktivitetet psikofizike dhe fiziolgjike, qoftë regjistrimeve pasive ose aktive, mblidhen të dhëna reale për pacientin. Këto të dhëna objektive në kombinim me informacionet nga përjetimi subjektiv i klientit ndihmojnë psikiatrinë jashtzakonisht shumë në vendimmarrje për metoden terapeutike. Ky zhvillim i teknologjisë digjitale po shihet ndërkohë edhe si mundësi për parandalimin e vetëvrasjeve. Rezultatet e para janë mjaft shpresëdhënëse (E.M Kleinman et al. 2018).
Psikiatri prapa ekranit
Intervenimi terapeutik ofrohet qoftë në kontakt direkt (Klinika Digjitale, Skype, Zoom.us, WhatsApp, etj) ose indirekt përmes platformave digjitale (SilverCloud, iCBT, 7Cups, digitalepsychiatrie.de, etj). Falë këtij zhvillimi teknologjik distanca ndërmjet klientit dhe psikiatrit nuk është relevante. Edhe termini dhe kohëzgjatja mund të jenë shumë fleksible, duke mos e penguar kështu jetën e përditshme të klientit. Një përparësi tjetër vërehet te personat me fobi sociale. Zakonisht në kontaktin direkt “sy më sy”, persona të tillë kanë më shumë vështirësi në shprehjen e brengave, e që në kontaktin digjital janë më të hapur dhe më aktiv.
Këtë trend të digjitalizimit në psikiatri me kohë e kanë vërejtur edhe kompanitë farmaceutike.  Në vend që të shpenzojnë me qindra miliona euro, në disa raste edhe miliarda euro për prodhimin e një medikamenti, ku në fund të fundit nuk e kanë të garantuar suksesin. Shumë kompani duke ju përshtatur trendeve, po investojnë më shumë qoftë në platforma online, por edhe në modifikim digjital të medikamenteve. “Abilify McCite” është produkti i parë në qarkullim nga Janari i këtj viti. Ky medikament (momentalisht është në qarkullim vetëm në SHBA), i cili përdoret kryesisht te klientët në gjendje psikotike ose me çrregullim bipolar. “Abilify McCite është i pajisur me një elektrodë, që në bashkveprim me sekretet e lukthit i dërgon sinjalet në sensorin e jashtem, i vendosur në lëkurë, i cili në anën tjetër këtë sinjal e përcjell në aplikacionin online. Mungesa e regjistrimit të rregullt e sinjaleve mundëson psikiatrin të informohet me kohë për bashkpunimin ose jo bashkëpunimin e duhur të klientit.
Rreziqet dhe pengesat
Si në sferat e tjera digjitale, edhe në psikatri të gjitha të dhënat e fituara përmes platformave të ndryshme mund të bien në duar të gabuara dhe pastaj të keqpërdoren. Sado që ka përparim të vazhdueshëm në sferën e sigurisë kibernetike, të dhënat e regjistruara kurrë nuk janë 100% të sigurta. Rreziqet vijnë edhe nga ofertat joserioze në internet, që mund të i’a prishin imazhin e trajtimit digjital. Një ’’Checklist ’’bazike mundëson deri diku diskualifikimin e tyre. (Checklist: Identiteti i ofertuesit me të dhëna bazë si vendbanimi dhe numri kontaktues; kaulifikimi profesional; ofertë e qartë sa i përket trajtimit, përfshirë modalitetet, objektivat reale për terapi dhe shuma konkrete të pagesës; marrja e masave për sigurimin e të dhënave).
Mungesa e kontaktit të drejpërderjet paraqet pengesë per marrjen e shumë informacioneve joverbale (mimika, lëvizjet e pavetëdijshme, pozita e të ulurit). Marrja e vendimeve terapeutike me pa mundësinë e vlerësimit të këtyre informacioneve, është në disa raste e mangët. Rrezik paraqet edhe humbja e individualitetit deri diku, pasi që proçeset gjithnjë e më dinamike në vendimmarrje bazohen në algoritmet e krijuara enkas për diagnostikë (p.sh SKID II).
Pengesë tjetër janë edhe ato burokratike. Momentalisht intervenimet terapuetike financohen nga sigurimet shëndetsore vetëm në disa shtete të botës siç janë: Suedia, Finlanda, Anglia, Autralia, pjesërisht në Gjermani,etj.
E ardhmja në psikiatri
Pas disa viteve zoti F, i përmendur në fillim të këtij teksti, nuk ka nevojë aspak t’a kontaktojë psikiatrin për krizën psiqike që e ka kapluar. GPS’i i vendosur në telefonin e tij ka vërjetur lëvizje të shtuara dhe të çrregullta. Sensorët në ’’Smartwatch’’(orën e mençur) gjithashtu kanë regjistruar ritmin e ndryshuar të gjumit, rrahjeve të zemrës si dhe receptorët e djersës janë më aktiv. Mikrofoni i telefonit ka vërejtur gjithashtu ndryshim minimal në të folurit e klientit (pauzat ndërmjet fjalëve, tonin e zërit). Por të gjitha këto ndryshime minimale që kanë kapur këta receptorë për përsonin F, ai, pra, personi F, nuk është aspak në dijeni për atë se çfarë është duke ndodhur. F as që ka vërejtur ndonjë gjë të pazakontë në disponimin e vet, ndërsa në anën tjetër receptorët veçse kanë alarmuar psikiatrin personal. Një telefonatë befasuese vjen nga psikiatri për personin F. Psikiatri i’a komunikon personit F, informacionet e pranuara dhe masat që duhet të ndërrmarrë ai, duke e parandaluar kështu  atë nga një përkeqësim psiqik.
Si menaxher financiar i suksesshëm që është personi F, nuk ka fare pengesa në rrugën e karrierës së tij.
Kjo është e ardhmja e psikiatrisë!
www.digitalepsychiatrie.de
Për të konsultuar Dr. Liron Pepshi, vizitoni: https://www.klinikadigjitale.net/profile/dr-liron-pepshi/
chevron_left
chevron_right